blog - shqip

« Späť

Numëratori telefonik i shën Mateut

Numëratori telefonik i shën Mateut

Ungjilli i Mateut 1,1-18 Shën Mateu fillon ungjillin e vet me “breznitë e Jezu Krishtit”. Kujt shërbën një gjë të tillë? A nuk mjaftonte të thoshte, se Jezusi vjen nga fisi i Judës dhe nga familia e Davidit mbret? Pse na lodh me të gjitha këto emra? Ç’domëthenie ka i tërë ky trung gjenealogjik?

Them të drejtën, dikur kam pas shumë inat këtë pjesë të ungjillit. Sapo dëgjova “breznitë e Jezu Krishtit” i fika veshët e nuk dëgjova më. Edhe si seminarist. Pastaj, një ditë më ndodhi këtë ungjill për meditim. Në fakt u dridha pak... Por hajde, e shqyrtoj edhe këtë – i thashë vetvetës. Mbeta te kjo pjesë e ungjillit një muaj, duke e medituar ç’do ditë!

Gjë e parë është, se shën Mateu nuk flet për “breznitë e Jezu Krishtit”. Në tekstin grek gjejmë βιβλος γενέσεως Ιησου Χριστου [biblos geneseos Iesu Christu] – libri i fillimit (ose: i zanafillës) të Jezu Krishtit. E kjo është një gjë tjetër. Nuk tregon vetëm nga vjen Jezusi. Kallëzon shumë më shumë. Shën Mateu na drejton kah libri i parë të Biblës. Kah libri i Zanafillës. Na tregon, se me Jezu Krishtin duhet të fillojë diçka e re. Diçka kaq e madhe, se është e barabartë me krijimin e botës diku në fillim të historisë së saj. Biles, këtu është diçka, që në një mënyrë të papame tejkalon krijimin. Fiks si lutet Kisha: “Ty, o Atë, i ke dhënë në shëlbim njeriut dinjitet më të madhë, se sa kishte pasur në krijim.”

Krejt ky trungu gjenealogjik flet, gërthas, se Jezusi është biri i Davidit. “Biri i Davidit” është titull i rezervuar për Mesinë. Askush tjetër nuk ka të drejtën të thotë, se është biri i Davidit. Prandaj, kur Mateu tregon të gjitha këto brezni, dëfton, se Jezusi më të vërtetë është biri i Davidit – është Mesia.

Tre herë përdor grupin e katërmbëdhjet breznive për të treguar këtë fakt me shumë forcë. Në gjuhen hebraike shkruhen vetëm bashktingëllore, për zanore përdoren disa shenja të vogla. Këto germa – bashktingëllore – kanë edhe vlerën matematike. Kështu, nëse shkruajmë emrin e Davidit mbret: דַוִדkemi tre germa me vlerën matematike ד+ו+ד= 4+6+4, që është së bashku 14. Ç’do brezni bërtet, se Krishti është biri i Davidit. Besëlidhja e vjetër vërteton këtë fakt. Të gjithë ata, që gjenden në trung gjenealogjik nga Abrahami te Davidi, janë njerëz, që më të vërtetë jetonin. Janë persona të konkreta me historinë e vet.

Nga Davidi deri te Zorobabeli Mateu pëzullon disa mbretër të Izraelit për të ruajtur numrin 14. Interesante është, se nuk pëzullon mëkatarët, ata, që shkelnin ligjin e Zotit, por mbretër, të themi, të mirë.

Nga Zorobabeli deri te Jozefi gejmë 4 emra, që nuk kemi në Besëlidhje të vjetër në mënyrë dretëpërdrejtë, dy prej tyre gjejmë në mbarë Biblën vetëm këtu.

Atëherë shën Mateu na mëson me këtë trungun gjenealogjik disa gjëra shumë të rëndësishme: Krishti vjen nga një familje mbretërore, po. Por në këtë familje ishin disa njerëz shumë mëkatar. Juda ka pas fëmijë me gruen e birit të vet. Salomoni është martuar me një lavire. Davidi mbret ka tyer kuroren me gruen e një prej oficierëve të tij dhe pastaj urdhëroj ta vrasin. Në librin e Siracidit gjejmë, se Salomoni ka adhuruar edhe hyjinitë të huaja për shkak të grave dhe biri i tij Roboami ishte “njeri më i marr në mbarë komb.”

Krishti erdhi për të na shpëtuar. Që në lindjen e tij pranon në vetë të gjitha mëkate jo vetëm të paraardhësve të tij, por të mbarë botës. Pranoi të lindë në familje plot me mekatare, kurorëshkelësve, vrastarëve, dhunuesve, njerëzve që tradhtuan fenë e tyre.

Ky është Hyji ynë. Pranon të gjithë me dashuri të pakushte. Varet prej nesh, si ne e pranojmë këtë dashuri e si e realizojmë në jetën tonë. Nëse jemi më të vërtetë të krishterë, do të jemi si Krishti. Do të jemi të vetëdijdhëm, se Ai na pranon edhe me mëkatet tona, se mëkatet nuk janë për të pengesë të afrimit të tij te ne. Por njëkohësisht do të dimë, se kjo dashuria e pakushte na fton të përmirsohemi, të heqim nga jeta mëkatin dhe neglizhencën ndaj Zotit.

Nëse Krishti pranon të gjithë, nëse erdhi për të gjithë, do të ishte shumë të trishtueshme, nëse nuk të pranonim ftesën e tij, nëse nuk të kishim përgjigjur dashurisë së tij me gjithë shpirt pa justifikime. Sot edhe për ne mund të fillojë një jetë të re, një histori të re bashkë me Jezusin. T’ia lejojmë, që të lindë në zemrat tona, t’i përgjigjemi si e ka hije. Nëse e kemi takuar Hyjin tonë më të vërtetë, nuk është e mundur, që të rrimë prapë të ftohtë ndaj kësaj Dashurie, që për ne u bë Fëmijë...