blog - shqip

« Назад

Sakramenti i Eukaristisë II.

Sakramenti i Eukaristisë II.

Vazhdojmë me meditimet mbi Eukaristinë. Sot në veçanti për Eukaristi në ekonominë e shëlbimit duke folur për shenjat e bukës dhe të verës, për themelimin e këtij Sakramenti dhe për urdhrin e Jezusit për ta kremtuar.

Shenjat e bukës dhe të verës

Në qendër të kremtimit Eukaristik janë buka dhe vera, të cilat me fjalët e Krishtit dhe me thirrjen e Shpirtit Shenjtë bëhen trupi dhe gjaku i Krishtit. Kisha, besnike ndaj urdhrit të Krishtit bën atë, që bëri Ai në mbrëmje para mundimit të tij: “mori bukën... mori kelkun...” Kur buka dhe vera janë bërë trupi dhe gjaku i Krishtit, tregojnë, se krijimi është i mirë. Prandaj në ofertor bekojmë Zotin për “frytin e tokës dhe të hardhisë” d.m.th. për dhuratat të Krijuesit, dhe për “frytin e punës së duarve të njerëzve”.Si parashenjë të flisë eukaristike të Kishës e shohim në flinë e Melkizedekut, prift dhe mbret (Zan 14,18).

Buka dhe vera, që i paraqiten Zotit në Besëlidhje të vjetër janë shenja falenderimi; në lidhje me Eksonin marrin një kuptim të ri: buka pabrume e Pashkës së Izraelit kujton nxitimin gjatë daljes prej Egjiptit (Dal 11-13). Kujtimi për mannën në shkretëtirë gjithmonë do të sjell ndër mend, se jeton prej bukës së fjalës së Hyjit (Lp 8,3). Buka e përditshme, fryt i Tokës së premtuar, është garanci e besnikërisë së Hyjit. “Kelku i falënderimit” (1Kor 10,16) në fund të gostisë (pashkvore) hebraike shton ndaj gëzimit dimensionin eskatologjike – ripërtëritjen mesianike të Jerusalemit. Jezusi, duke themeluar Eukaristinë, i dha një kuptim të ri dhe përfundimtar bekimit mbi bukën dhe kelkun.

Mrekullitë e shumëzimit të bukës për të ushqyer turma të popullit, janë shenjë e bujarisë së një buke të vetme eukaristike. Shenja e ndërrimit të ujit në verë në Kanë të Galilesë lajmëron orën e lavdërimit të Jezusit, do më thënë orën e lartësimi të tij në kryq, dhe shënon gostinë e dasmës së Qengjit në mbretërinë e Atit, ku besimtarët do të pinë verë të re, që do të jetë bërë gjak i Krishtit.

Paralajmërimi i parë i Eukaristisë i ka ndarë nxënësit e Krishtit ashtu siç i ka shkandulluar paralajmërimi i parë i vuajtjes: σκληρος εστιν ουτος ο λογος τις δυναται αυτου ακουειν; [Kjo fjalë është e rënd, kush është i aftë ta dëgjojë? (Gjn 6,60)] Eukaristia dhe kryqi janë gur i pengesës (sh. Rom 9,32 - τω λιθω του προσκομματος – mund të përkthehet edhe “gur i akcidentit” ose “gur i ndarjes”). Deri më sot është po i njëjti mister e nuk pushon të jetë shkaku i ndarjes: “A doni edhe ju të largoheni (υπαγειν)?“ (Gjn 6,67). Kjo pyetje e Zotit tingëllon në kalimin e shekujve si thirrje e dashurisë, që njerëzit bashkë më Pjetrin të njohin, se vetëm ai i ka “fjalët të jetës së pasosur“ (Gjn 6,68) dhe se të pranosh Eukaristinë, d.m.th të pranosh vetë Krishtin.

Themelimi i Eukaristisë

Zoti ynë Jezu Krishti,që i deshi të vetët që ishin në botë, i deshi deri në mbarim. Duke ditur, se erdhi ora për të shkuar prej kësaj bote dhe për t’u kthyer tek Ati, gjatë darkës iu ka larë këmbët dhe ua dha urdhrin e dashurisë (sh. Gjn 13,1-17). Për t’ua dhuruar pengun e dashurisë së amshuar, që të mos largohet kurrë prej të tijve dhe për t’u dhënë pjesë në Pashkën e tij, themeloi Eukaristinë, si përkujtimin e vdekjes dhe të ngalljes së tij dhe apostujve, të cilët atëhere i themeloi si priftërinj të Besëlidhjes së re, u urdhëroi ta kremtojnë deri në kthimin e tij.

Çasti i Pashkës ishte i zgjedhur prej Krishtit për themelimin e Eukaristisë, sepse ishte më i përshtatshëm për ta plotësuar premtimin e dhënë nxënësve të tij në sinagogën e Kafarnaumit – se do të dhuronte trupin dhe gjakun e vet si ushqim. Njëkohësisht me kremtimin i Darkës së fundit në kohën e gostisë së Pashkës hebraike i dha kësaj kuptimin përfundimtar. Më të vërtetë: Kalimi i Krishtit prej kësaj bote tek Ati nëpër vdekjen dhe ngjalljen, atëherë Pashka e re, kremtohet në Darkën e fundit dhe bëhet e pranishme në Eukaristi, e cila plotëson Pashkën hebraike dhe që tani bën të pranishme Pashkën e amshueshme të Kishës në lavdinë e Mbretërisë së Hyjit.

“Bëjëni këtë në përkujtimin tim”

Urdhri i Jezusit të përseriten vepra dhe fjalë të tij deri sa do të vijë nuk kërkon vetëm kujtimin për Jezusin dhe për atë, që Ai bëri. Ka lidhje edhe me kremtimin liturgjik – përkutjimi i Krishtit, jetës, vdekjes, ngjalljes dhe ndërmjetësisë së tij. Që në fillim Kisha ishte besnike ndaj këtij urdhri. Të krishterët u bashkuan për thyerjen e bukës sidomos në ditën e parë të javës – të dielën në ditën e ngjalljes së Jezusit. Prej asaj kohe e deri më sot ky kremtim eukaristik vazhdon dhe ne e gjejmë kudo në Kishë më të njëjtën strukturë – gjithmonë qëndron si pika qëndrore e jetës së Kishës.

Kështu populli i Zotit në çdo kremtim shpall misterin e Pashkës së Krishtit deri sa Ai të vij dhe përparon në udhën e ngushtë të kryqit drejt gostisë qiellore, në të cilën të gjithë të zgjedhurit do të ulën në tryezën e Mbretërisë.

Комментарии